Administrata Trump humbet apelimin për aksesin në të dhënat personale të votuesve në Michigan
Gjykata e Apelit e Qarkut të 6-të të SHBA-së vendosi të mërkurën që Michigan mund të mbajë nën kontroll informacionet personale të votuesve të regjistruar. Në një opinion 2-1, kolegji i gjykatës përkrahu vendimin e një gjykatësi federal në Lansing dhe refuzoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të marrë të dhëna si datat e lindjes, numrat e patentave dhe pjesë të numrave të sigurimeve shoqërore.
Siç raporton michiganpublic, gjykata arriti në përfundimin se ligji që u përdor nga Departamenti i Drejtësisë nuk detyron shtetet të dorëzojnë këtë lloj informacioni personal.
Sekretarja e Shtetit të Michiganit, Jocelyn Benson, deklaroi se qeveria federale mund të marrë vetëm një listë të votuesve të regjistruar, të barabartë me atë që mund ta kërkojë çdo anëtar i publikut. Administrata Trump argumentonte se kërkesa synonte verifikimin e përputhshmërisë me ligjet federale elektorale, duke përmendur “anomali” dhe ankesa të tjera, kurse avokatët e Michigan thanë se qëllimet përfshinin edhe krijimin e një regjistri kombëtar të votuesve dhe ndarjen e informacionit me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të kontrolluar nëse jo-qytetarë janë regjistruar dhe kanë votuar.
Gjykatat kanë refuzuar gjithashtu përpjekje të ngjashme në Maryland, Arizona, California, Maine, Massachusetts, Oregon, Rhode Island dhe Wisconsin, ndërsa një çështje në Georgia u hodh poshtë pasi padia ishte ngritur në qytetin e gabuar dhe u ri-paraqit tjetërkund. Të paktën 13 shtete — Alaska, Arkansas, Indiana, Louisiana, Mississippi, Nebraska, Ohio, Oklahoma, South Carolina, South Dakota, Tennessee, Texas dhe Wyoming — kanë dorëzuar ose kanë premtuar t9i japin listat e regjistrimit të votuesve, sipas michiganpublic.