Saturday, 27 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaAeroporti i Vlorës, MIE nis me gjobat për vonesat

Aeroporti i Vlorës, MIE nis me gjobat për vonesat

Ministria e Infrastrukturës ka gjobitur konsorciumin që po ndërton aeroportin e Vlorës për vonesat në përfundimin e punimeve. Lajmin e dha vetë ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i cili paralajmëroi masa të tjera nëse situata vijon të mbetet e njëjtë, por pa dhënë shifra për masën e kësaj gjobe.

“Prej muajsh ortakët e konsorciumit kanë qenë në një konflikt që i çoi edhe në gjykatë mbi të drejtën për aksionet e shoqërisë. Javën e shkuar, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi, duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli”.

Trupa gjykuese e Kolegjit Civil vendosi të ndryshojë vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, të cilat kishin pranuar kërkesën për masë sigurimi padie.

Projekti i aeroportit të Vlorës konsiderohet një nga investimet strategjike të qeverisë për turizmin dhe transportin ajror në jug të vendit. Aeroporti po ndërtohet në zonën e Akërnisë dhe synon të shërbejë si porta kryesore ajrore e rivierës shqiptare.

Tv Klan

/tvklan.al

Lini një koment