Sunday, 21 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaAgimi e gjen Tiranën në protestë / Nis dita e 22-të, qytetarët vijojnë rrethimin e Kryeministrisë

Agimi e gjen Tiranën në protestë / Nis dita e 22-të, qytetarët vijojnë rrethimin e Kryeministrisë

Dita ka nisur të zbardhë në Tiranë, por protesta nuk ka përfunduar. Edhe në orët e para të mëngjesit, qindra qytetarë vazhdojnë të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë, duke hyrë kështu në ditën e 22-të të protestës së pandërprerë kundër qeverisë.

Pas një nate të gjatë në bulevard, shumë protestues kanë zgjedhur të mos largohen. Disa kanë pushuar në ambientet përreth Kryeministrisë, ndërsa të tjerë kanë vazhduar të mbajnë flamujt kombëtarë dhe të ruajnë praninë e tyre në shesh. Atmosfera mbetet e qetë, ndërsa qytetarët deklarojnë se protesta do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

Mbrëmja e djeshme pritet të mbetet në kujtesë si protesta me pjesëmarrjen më të madhe të organizuar ndonjëherë në Tiranë. Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, së bashku me shqiptarë të ardhur nga diaspora, mbushën sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe hapësirat përreth Kryeministrisë, në një mobilizim që zgjati deri në orët e para të mëngjesit.

Fakti që një pjesë e protestuesve zgjodhën ta kalonin natën në bulevard shihet nga organizatorët si dëshmi e vendosmërisë për të vazhduar lëvizjen edhe në ditët në vijim. Me nisjen e ditës së 22-të, vëmendja mbetet e përqendruar te zhvillimet në qendër të Tiranës, ku protestuesit vijojnë të qëndrojnë përpara Kryeministrisë.

Me poshte keni nje foto album nga protesta e djeshme

Lini një koment