Akademiku Nazim Gruda zgjidhet president i Unionit të Akademive Evropiane
Akademiku Nazim Gruda u zgjodh president i Unionit të Akademive Evropiane duke bërë që dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë të marrë zyrtarisht Presidencën e Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), për mandatin 2026–2028.
AASH tha se, zgjedhja e akad. Grudës përbën një moment të rëndësishëm për komunitetin akademik shqiptar dhe një vlerësim të drejtpërdrejtë për kontributin e Shqipërisë në bashkëpunimin shkencor evropian.
Në fjalën e tij pas zgjedhjes, akad. Nazim Gruda e cilësoi këtë moment si një përgjegjësi të veçantë personale dhe institucionale, duke theksuar se kjo përgjegjësi vjen në një moment kur bujqësia dhe sistemet ushqimore përballen me sfida të mëdha, nga siguria ushqimore, mungesa e ujit dhe ndryshimet klimatike, te biodiversiteti, bioteknologjia dhe përdorimi i inteligjencës artificiale. Ai nënvizoi se pikërisht shumëllojshmëria e akademive anëtare, përvoja e tyre shkencore dhe bashkëpunimi evropian përbëjnë një forcë të rëndësishme për përmbushjen e misionit të UEAA-së në vitet e ardhshme.
Në Komitetin Drejtues të UEAA-së u zgjodhën gjithashtu 12 anëtarë të rregullt dhe 7 anëtarë vëzhgues nga akademitë evropiane, ndër të cilët edhe një përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.