E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaAKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për pranimin në shërbimin civil

AKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për pranimin në shërbimin civil

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se komunat do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

Sipas AKK-së, vendimi është marrë nga Këshilli i Kryetarëve në mbledhjen e mbajtur më 14 maj 2026.

“Këshilli i Kryetarëve i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datë 14 maj 2026, ka vendosur që Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj”, thuhet në njoftim.

Asociacioni thekson se komunat “nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale”, duke argumentuar se e drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

“E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet më tej.

AKK vlerëson se pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontroll të ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave.

“Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave”, thuhet në reagim, duke shtuar se çdo veprim që tejkalon këtë kufi “përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”.

Në këtë frymë, AKK thotë se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 “përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave”, pasi, sipas tyre, centralizon procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe redukton autonominë funksionale të pushtetit lokal.

“Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025… përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal”, thuhet në njoftim.

Sipas AKK-së, një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e subsidiaritetit dhe standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.

Për këtë arsye, Asociacioni ka bërë të ditur se, përmes komunave, do ta dërgojë këtë rregullore në Gjykatën Kushtetuese, “me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë”, me qëllim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/

Lini një koment