E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›AKMC paralajmëron për reshje intensive dhe rrezik për përmbytje në disa qarqe të vendit

AKMC paralajmëron për reshje intensive dhe rrezik për përmbytje në disa qarqe të vendit

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë thirrje për kujdes dhe gatishmëri ndaj situatës meteorologjike në vend, pasi sipas parashikimeve njoftohet përkeqësim i kushteve atmosferike gjatë ditëve në vijim.

Sipas njoftimit të AKMC-së, reshjet e shiut pritet të intensifikohen në disa qarqe të vendit, duke rritur rrezikun për përmbytje veçanërisht në zonat malore.

Njoftimi i plotë:

“Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme, 25 nëntor, priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës.

Për ditën e nesërme, 26 nëntor, parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa më 27 nëntor reshjet me intensitet të lartë pritet të vijojnë në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.

Si pasojë e reshjeve, mund të ketë grumbullime të ujit dhe përmbytje të lokalizuara në disa zona urbane, ndërsa në zonat malore kërkohet vëmendje ndaj vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të mundshme të dherave.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga prefektët dhe bashkitë marrjen e masave parandaluese, kontrollin e sistemeve të kullimit, monitorimin e zonave me risk dhe mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve operacionale.

Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e familjes dhe pronës, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e strukturave vendore.

#AKMC vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse, me prioritet sigurinë e qytetarëve.

Parandalimi, gatishmëria dhe bashkëpunimi janë çelësi për komunitete më të sigurta”

Lini një koment