Aksident i frikshëm në Sarandë, makina çan barrierat e rrugës, shpëton mrekullisht turisti francez
Një aksident rrugor është shënuar mëngjesin e kësaj të premteje në kryqëzimin e rrugëve “Onhezmi” dhe “Skënderbeu” në Sarandë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierën mbrojtëse.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit, një shtetas francez, ka humbur kontrollin e automjetit tip “Mercedes-Benz”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk ka persona të lënduar dhe drejtuesi i mjetit ka shpëtuar pa dëmtime.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore të Sarandës, të cilat i kanë kryer testin e alkoolit drejtuesit. Rezultati ka qenë 0.00 mg/l, duke konfirmuar se ai nuk kishte konsumuar alkool.
Policia po heton rrethanat e aksidentit për të përcaktuar shkakun që çoi në humbjen e kontrollit të automjetit.