Aksident i rëndë në Lushnje! Makina përfundon në kanalin me ujë, humbin jetën dy motrat
Një aksident tragjik ka ndodhur në fshatin Delisufaj të Lushnjes pasditen e kësaj të enjteje, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Sipas raportimeve, kanë humbur jetën dy gratë që udhëtonin në mjet, të cilat u identifikuan si M. H. dhe F. Xh., të dyja rreth 50 vjeçe, motra.
Ndërkohë, shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 19:00, jemi njoftuar se në një kanal me ujë, në aksin rrugor rural “Delisufaj-Çukas”, kishte rënë një automjet.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, ku kanë konstatuar brenda automjetit dy shtetase të pajeta, konkretisht shtetasen F. Xh., 53 vjeçe, banuese në fshatin Çermë, drejtuese e automjetit, si dhe motrën e saj, shtetasen M. H., 50 vjeçe, banuese në fshatin Delisufaj, e cila ishte pasagjere në automjet.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të rënies së automjetit në kanal.