Aksident i rëndë në rrugën Landovicë–Gjonaj, humb jetën një motoçiklist
Një aksident i rëndë trafiku, me pasoja vdekjen, është shënuar në segmentin rrugor Landovicë–Gjonaj, ku u përfshinë një automjet dhe një motoçikletë.
Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren, Shaqir Bytyqi. Sipas tij, në vendngjarje ka dalë ekipi mjekësor i urgjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e Z. Q., i lindur në vitin 1994, nga fshati Romajë i Komunës së Prizrenit. Në momentin e aksidentit, ai ishte duke drejtuar motoçikletën.
Për rastin janë njoftuar hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut, eprorët përkatës dhe prokurori i shtetit. Me autorizim të Prokurorisë do të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.