Aksident i rëndë nga përplasja e dy mjeteve lundruese te “Rana e Hedhun” në Shëngjin, humb jetën 25-vjeçari, një tje
Një aksident i rëndë ujor ka ndodhur këtë pasdite mes Rrjollit dhe Shëngjinit, ku si pasojë ka humbur jetën një person. Nga ngjarja është plagosur edhe një person tjetër, i cili është transportuar në spitalin e Lezhës.
Si pasojë, mësohet se një 25 vjeçar me inicialet K.Gj., ka humbur jetën, ndërsa një tjetër me inicialet U.M., është plagosur rëndë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, ndërsa vijojnë veprimet për nxjerrjen e personave të përfshirë në aksident dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia dhe autoritetet detare kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e përplasjes. Mjetet e përplasura janë skafe turistike.
Ky është incidenti i dytë i rëndë me mjete lundruese brenda 24 orëve në vend. Një ditë më parë, në Liqenin e Komanit, dy varka turistike u përplasën teksa transportonin pushues drejt Lumit të Shalës. Si pasojë mbetën të plagosur lehtë pesë persona, mes tyre një turist i huaj, ndërsa shkaku paraprak u dyshua të ishte shpejtësia e lartë.
Policia ndodhet në vendngjarje për të nisur hetimet dhe zbardhur dinamikën dhe bilancin e këtij aksidenti tragjik.