E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaAksidenti i rëndë në Durrës, Rama thirrje mediave: Publikimi i pamjeve të rënda nuk informon, por e hienizon botën e informacionit

Aksidenti i rëndë në Durrës, Rama thirrje mediave: Publikimi i pamjeve të rënda nuk informon, por e hienizon botën e informacionit

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar mediave me një thirrje publike lidhur me raportimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës, ku një automjet përplasi tre fëmijë të mitur, duke i marrë jetën dy prej tyre dhe duke lënë një tjetër në gjendje të rëndë.

Kryeministri thekson se, ndërsa vendi është në pikëllim dhe drejtësia po kryen punën e saj, është detyrë e të gjithëve, veçanërisht e mediave, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi në raportimin e ngjarjes.

Sipas tij, në këtë rast, publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk shërben për informim, por vetëm thellon dhimbjen e familjeve që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe dëmton dinjitetin e informacionit publik.

Kryeministri Rama nënvizon se respekti për dinjitetin njerëzor dhe për dhimbjen e të prekurve drejtpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo kërkim klikimesh, duke bërë thirrje për solidaritet, humanizëm dhe përgjegjshmëri në një ditë tragjike si kjo.

“Ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtësia bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit. Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e të prekurve drejtpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo” apelon kryeministri Rama.

Lini një koment