E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Aksidenti që i mori jetën shefit të Krimeve të Vlorës, arrestohet shoferi i skrepit

Aksidenti që i mori jetën shefit të Krimeve të Vlorës, arrestohet shoferi i skrepit

Policia ka arrestuar shoferin e skrepit me të cilin u përplas automjeti i shefit të Krimeve të Vlorës, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën në aksident, siç njofton Shqiptarja.com. Arrestimi vjen pas hetimeve të para për rrethanat e ngjarjes së rëndë, e cila i mori jetën oficerit të policisë.

Shoferi i arrestuar është Thanas Poçaj, 63 vjeç. Ai mbeti i plagosur nga përplasja, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Masa e sigurisë iu komunikua në spital, ku ai po merr trajtim mjekësor.

Sipas policisë, Lulaj humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit për shkak të lagështirës dhe motit të keq me shi. Një prej dyshimeve të hetuesve është se skrepi nuk ka qenë i pajisur me sinjalistikën përkatëse në pjesën e pasme, një element që mund të ketë ndikuar në pamundësinë për ta vënë re në kohë mjetin e rëndë në rrugë.

Hetimet dhe ekspertiza pritet të zbardhin shkakun e plotë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë e mundshme për ngjarjen. Deri në përfundimin e tyre, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi dinamikën e përplasjes.

Ndërkohë, eksperti Gëzim Hoxha ka deklaruar se mjetet e kantierëve nuk duhet të lejohen të dalin në autostradë të pashoqëruara, për shkak të shpejtësisë së vogël me të cilën lëvizin. Sipas tij, prania e tyre pa shoqërim në akse me shpejtësi të lartë përbën rrezik serioz për drejtuesit e tjerë të mjeteve.

Lini një koment