Akti Normativ/ Debate të forta te “Ligjet” për tubimet! Bylykbashi: Si në komunizëm! Rama s’i përballon dot protestat
Akti normativ për tubimet, pjesë e paketës anti-dhunë të qeverisë, është bërë shkak për debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin për Çështjet Ligjore.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi aktin normativ antikushtetues, duke akuzuar qeverinë se po përdor masat ndëshkuese për të kufizuar protestat dhe për të ushtruar presion ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë.
Bylykbashi ngriti shqetësime për arrestimet, gjobat e larta dhe trajtimin e protestuesve nga Policia, duke paralajmëruar se çështja do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Jemi përpara akteve që qartazi janë antikushtetuese. Rama nuk i përballon dot këto protesta, kemi pasqyrën e gjendjes së brendshme të kryeministrit në këto akte. Si i duron dot ai protestuesit kundër tij? Ju i arrestoni, i mbani përtej afatit ligjor, i vendosni edhe gjobë.
Pasojë e aktit tuaj normativ, një vajzë e re ankohej dhe thoshte se protestoj sepse prindërit e mi kanë pensione skandaloze dhe më kanë vënë gjobë 5-milionëshe dhe nuk e paguaj dot.
Çfarë bëni ju? I arrestoni, i rrihni si në kohën e komunizmit, edhe në furgona, edhe u thoni policëve: Thyeni brinjët, se do të merrni edhe 2.500 euro. Dhe përballë kësaj, urgjenca e Ramës për të mbrojtur veten e vet. Debati do të bëhet në Gjykatën Kushtetuese, se këtu nuk bëhet dot, pas asaj që pamë te Gjiri i Lalzit”, deklaroi Bylykbashi.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja, mbrojti nismën e qeverisë, duke argumentuar se masat synojnë të parandalojnë dhunën dhe jo të kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, informon TCH.
Manja theksoi se vendi është përballur me episode të dhunshme gjatë tubimeve, duke përmendur sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e bankomateve dhe vështirësitë e krijuara për funksionimin e sistemit bankar.
“Ka pasur protesta dhe do të ketë, por është fakt që Shqipëria u gjend në valën e një dhune që nuk ka lidhje fare me protestuesit që duan të protestojnë paqësisht në këtë vend. Dhunë e organizuar nga grupe personash me maska, dhunë deri në përdorimin e mjeteve të rrezikshme ndaj jetës së policëve.
Institucionet duhet të hetojnë edhe disproporcionalitetin e dhunës, nëse ka pasur, por ky vend ka institucione drejtësie. Kjo valë dhune nuk kurseu as policinë, as shtetin, u vu në vështirësi sistemi bankar, u thyen bankomate dhe njerëzit as nuk tërhiqnin dot lekë për nevojat e ditës”, u shpreh Manja.