Dramatike në Durrës/ Dekoret e pallatit 15-katësh në Currila rrezikojnë kalimtarët, ndërhyjnë zjarrfikësit!
Në pallatin 15-katësh nga fasada e të cilit u shkëputën mbrëmë elemente dekorative, që dëmtuan një automjet dhe rrezikuan jetën e kalimtarëve, mëngjesin e sotëm ndërhyri shërbimi zjarrfikës.
Ndërhyrja kishte për qëllim heqjen nga fasada të të gjithë elementëve të dëmtuar, të cilët rrezikojnë të bien nga lartësia.
Për shkak të lartësisë së godinës shumëkatëshe, që ndodhet në rrugën e Currilave procesi nuk është mjaft i lehtë.
Autoshkalla e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit nga Zjarri mund të ndërhynte deri në një lartësi të caktuar, ndërkohë që ndërhyrja komplikohet edhe më shumë për shkak se siç deklaron administratori i godinës, banorët nuk kanë bashkëpunuar për t’i lejuar zjarrfikësit të ndërhynin nga brenda ballkoneve të tyre.
Godina shumëkatëshe ka gjithsej 12 struktura me elementë dekorativë, të cilët mbërrijnë deri në katin e 15-të dhe kanë gjatësi 40 metra. Sipas administratorit Bala të gjitha strukturat paraqesin probleme dhe incidenti i mbrëmjes së të enjtes mund të përsëritet në të ardhmen.
Kjo nuk është hera e parë, që nga fasadat e pallateve ose godinave institucionale në Durrës shkëputen copa suvash, pllaka mermeri, elementë dekorativë etj.