Aktivizoi alarmin e zjarrit gjatë fluturimit Barcelonë–Venecia, studenti rrezikon gjobë mbi 2 mijë euro
– Një alarm zjarri shkaktoi momente shqetësimi në bordin e një avioni të kompanisë “Ryanair”, që fluturonte nga Barcelona drejt Venecias, pasi një student përdori cigare elektronike në tualetin e avionit, sipas “Tgcom24.
Ngjarja ndodhi dje, gjatë udhëtimit të një grupi nxënësish drejt Venecias.
I riu, me shtetësi spanjolle, ishte mbyllur në tualet për të përdorur cigaren elektronike, duke shkelur rregullin e ndalimit të pirjes së duhanit në avion.
Tymi i krijuar nga pajisja, aktivizoi sensorët e zbulimit të tymit dhe shkaktoi ndezjen e alarmit të zjarrit në të gjithë avionin.
Situata shkaktoi shqetësim mes pasagjerëve, të cilët fillimisht druheshin se mund të kishte rënë zjarr në bord.
Ekuipazhi arriti të identifikonte brenda pak sekondash burimin e alarmit.
Pasi u konstatua se nuk kishte zjarr apo defekt teknik, avioni vijoi udhëtimin dhe u ul normalisht në aeroportin “Marco Polo” të Venecias.
Pas uljes, komandanti kërkoi ndërhyrjen e policisë. Studenti u shoqërua në ambientet e Policisë Kufitare, ku u identifikua për veprimin e tij.
Sipas medias italiane, i riu rrezikon një gjobë prej më shumë se 2 000 eurosh, kallëzim penal pranë prokurorisë, përfshirë edhe atë për të mitur, si dhe mundësinë e përjashtimit nga fluturimet e kompanisë “Ryanair”.
Ndalimi i pirjes së duhanit në avionë, përfshin si cigaret tradicionale, ashtu edhe ato elektronike.
Përdorimi i tyre mund të aktivizojë sistemet e alarmit dhe të krijojë rreziqe për sigurinë e fluturimit.
Vetë kompania “Ryanair” paralajmëron se pasagjerët që shkelin këtë ndalim, mund të përballen me përgjegjësi penale dhe detyrimin për të dëmshpërblyer kompaninë, për kostot e shkaktuara, përfshirë ato që lidhen me ndërprerjen e shërbimit.
Një rast i ngjashëm u regjistrua javën e kaluar në një fluturim nga Praga drejt Katanias, ku një pasagjer u kap duke pirë cigare në tualetin e avionit.
Pas uljes, ai u gjobit me 2, 064 euro nga autoritetet italiane. /