Akuzohen prindërit e 3-vjeçarit të vrarë në Pontiac: kishin lënë armën e mbushur të pambrojtur në bodrum
Prokurorja e Oakland County-t, Karen McDonald, thotë se tragjedia ishte "100 për qind e parandalueshme"; babai dhe nëna rrezikojnë deri në 15 vjet burg
Prokurorja e Oakland County-t ka ngritur akuza penale ndaj prindërve të një djali 3-vjeçar nga Pontiaci, i cili u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij, pasi dikush kishte kapur një armë të mbushur që nuk ishte ruajtur siç duhet.
Sipas zyrës së sherifit të Oakland County-t, ngjarja ndodhi më 15 shtator, rreth orës 17:00, në një banesë në Maynard Court të Pontiacut. Në shtëpi ndodheshin nëna, babai, gjyshja dhe katër fëmijë, të gjithë nën moshën tetë vjeç, kur u dëgjua e shtëna. Djali u gjet i plagosur në kokë dhe u transportua në spitalin McLaren Oakland, ku u shpall i vdekur.
Hetimi zbuloi se arma, një pistoletë Taurus 9 mm e mbushur e regjistruar në emër të babait, 40-vjeçarit Michael Lacy, gjendej e pambrojtur në bodrum, ku ndodheshin të paktën dy fëmijë, përfshirë viktimën. Lacy u largua nga vendngjarja para se të mbërrinin agjentët, por u kthye më vonë atë mbrëmje dhe u arrestua pa incidente.
Të premten, më 18 shtator, prokuroria njoftoi akuzat ndaj Lacy-t dhe nënës, 31-vjeçares Kasharae Herron, për “dështim për të ruajtur armën e zjarrit me pasojë vdekjen”. Të dy u paraqitën të njëjtën ditë në Gjykatën e Qarkut 50, ku gjykata caktoi garanci prej 25,000 dollarësh për secilin, me kushtin e mbajtjes së një byzylyku GPS në rast lirimi.
Sherifi i Oakland County-t, Michael Bouchard, tha se të dy prindërit u kishin pranuar hetuesve se e dinin që arma ishte e pambrojtur në bodrum. Të gjithë fëmijët janë larguar nga banesa me urdhër gjykate, të marrë nga Shërbimet e Mbrojtjes së Fëmijës.
“Kjo tragjedi ishte plotësisht e parandalueshme dhe është e tmerrshme të shohësh një fëmijë tjetër që humb jetën kaq pa kuptim,” tha prokurorja McDonald në deklaratën e saj. “Ruajtja e armës është e thjeshtë dhe efektive. Është përgjegjësi ligjore e çdo të rrituri që zgjedh të zotërojë armë.”
Akuza e “dështimit për të ruajtur armën e zjarrit me pasojë vdekjen” dënohet me deri në 15 vjet burg dhe/ose gjobë 10,000 dollarë.
Rasti vjen pas atij historik të James dhe Jennifer Crumbley, prindërve të vrasësit të shkollës së Oxfordit, të cilët u mbajtën penalisht përgjegjës për mosruajtjen e armës që djali i tyre përdori në masakrën e vitit 2021 — rasti i parë në Amerikë i këtij lloji.
Burimi: Detroit Free Press