Akuzohet një 27-vjeçar për vrasjen e tre burrave në një bodrum në Detroitin jugperëndimor
Prokuroria e Qarkut Wayne ka ngritur akuza për vrasje të shkallës së parë ndaj një 27-vjeçari nga Detroiti, në lidhje me vdekjen e tre burrave, trupat e të cilëve u gjetën në një bodrum në jugperëndim të qytetit në muajin shkurt.
Sipas të dhënave të publikuara nga Detroit Free Press, i dyshuari Lance Alan Clowney u akuzua zyrtarisht më 27 mars për tre vrasje të shkallës së parë. Viktimat janë identifikuar si Mark Barnett, 65 vjeç, dhe Norman Hamlin, 66 vjeç, të dy nga Detroit, si dhe Williams Barrett, 72 vjeç, nga River Rouge.
Hetuesit bëjnë me dije se Barrett ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij më 18 shkurt, ndërsa trupat e tre viktimave u zbuluan po atë ditë nga policia në banesën e Hamlin në zonën e rrugës Edsel.
Sipas prokurorisë, Clowney akuzohet se ka goditur viktimat disa herë me çekiç dhe thikë, duke u shkaktuar plagë fatale, dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Trupat u gjetën të mbuluar me rroba të ndotura dhe materiale të tjera në bodrum.
Avokati i tij, John McWilliams, deklaroi për mediat se është ende herët për të komentuar mbi çështjen, duke theksuar se klienti i tij “gëzon dhe do të vazhdojë të gëzojë prezumimin e pafajësisë”.
Përveç kësaj, Clowney akuzohet edhe për një tjetër sulm të ndodhur më 17 shkurt ndaj një 69-vjeçari në të njëjtën banesë, ku përballet me akuza për tentativë vrasjeje dhe plagosje të rëndë.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin në Detroit.