Alarmet për bomba në avionët europianë, dyshimet bien mbi grupin rus “Male State”
Grupi ekstremist rus “Male State”, i themeluar nga Vladislav Pozdnyakov në vitin 2016, dyshohet se mund të qëndrojë pas alarmeve të rreme për bomba që kanë prekur më shumë se 27 fluturime në Europë gjatë datave 3, 5 dhe 6 nëntor.
Dyshimet janë ngritur pas një emaili që mban nënshkrimin “Luftëtarët e Male State”, përmes të cilit pretendohet përgjegjësia për kërcënimet. Megjithatë, lidhja e grupit me incidentet nuk është konfirmuar.
Sipas BBC dhe Reuters, përfaqësues të lidhur me grupin, përfshirë themeluesin Pozdnyakov, kanë mohuar përfshirjen, duke deklaruar se organizata nuk ekziston më.
“Male State”, i shpallur i jashtëligjshëm në Rusi në vitin 2021, njihej për ideologjinë e ekstremit të djathtë, racizmin dhe qëndrimet kundër grave dhe komunitetit LGBT.
Ndërkohë, autoritetet europiane dyshojnë se kërcënimet mund të jenë të koordinuara. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur shqetësimin për situatën, duke paralajmëruar se incidente të ngjashme mund të prekin edhe infrastrukturën hekurudhore, spitalet dhe sektorë të tjerë jetikë.