Ambasadorja kineze viziton Arkivin Qendror të Filmit, priten bashkëpunime të reja kulturore
Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, vizitoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku u njoh nga afër me trashëgiminë filmike shqiptare dhe fondin e filmave kinezë të ruajtur në këtë institucion.
Gjatë vizitës, ambasadorja Pang Chunxue u njoh me pasurinë filmike që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, përfshirë koleksionin e vlefshëm të kinematografisë kineze.
Arkivi e cilësoi këtë fond si një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë filmike dhe një dëshmi të lidhjeve të hershme kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës.
Në një postim në rrjetet sociale, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri të ditur se vizita pritet të pasohet nga bashkëpunime të reja mes dy vendeve në fushën e trashëgimisë dhe kulturës filmike.
“Ky fond i çmuar nuk përfaqëson vetëm një pasuri të rëndësishme kombëtare, por edhe një urë lidhëse mes vendeve tona. Së shpejti na presin bashkëpunime shumë të frytshme!”, thuhet në postimin e AQSHF.