E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Analistja komenton mesazhin e ambasadorit Wendt: Prioritetet reflektojnë agjendën e Trumpit, Kosova më vulnerabël

Analistja komenton mesazhin e ambasadorit Wendt: Prioritetet reflektojnë agjendën e Trumpit, Kosova më vulnerabël

E ftuar në “Review” me Greta Topjanën, analistja politike Mimoza Gavrani Simo komentoi rëndësinë e mesazhit të ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, për prioritetet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ajo tha se tri prioritetet e bëra publike janë pjesë e agjendës së presidentit amerikan Donald Trump, e cila, sipas saj, po zbatohet edhe në vendet aleate si Shqipëria. Gavrani Simo u ndal edhe te situata në Kosovë, ku vlerësoi se mungesa e një ambasadori amerikan dhe ndryshimet politike mund të ndikojnë në praninë dhe rolin e SHBA-së në vend.

“Mesazhi që dëgjuam sot ishte një mesazh me rëndësi të pashmangshme në Shqipëri dhe po të njëjtën rëndësi ka edhe në Kosovë. Takimi i ambasadorit me zotin Rama ishte i mirëpritur për shumë arsye. Sa i përket specifikisht tri pikave që u adresuan, mendoj se janë pjesë e agjendës së presidentit Trump, e cila po zbatohet edhe në vendet aleate, siç është Shqipëria. Këto prioritete kanë të bëjnë me zhvillimin e investimeve, sigurinë, luftën kundër krimit etj. Sa i përket situatës në Kosovë, mendoj se kemi një prirje më vulnerabël për sa i përket pranisë, fokusit dhe rolit specifik që ambasada amerikane ka pasur dhe vazhdon të ketë, edhe pse aktualisht nuk ka një ambasador. Rëndësia e ambasadorit shihet qartë, pasi ai ishte aleati kryesor për vendosjen e stabilitetit dhe për avancimin e agjendave të ndryshme politike, sidomos kur bëhet fjalë për stabilizimin e marrëdhënieve me komunitetin serb në Kosovë. Mendoj se edhe ndryshimet politike mund të ndikojnë dhe ka momente të rëndësishme që zoti Kurti në Kosovë duhet t’i shfrytëzojë për sa kohë agjenda e Trumpit vazhdon në Amerikë”, tha ajo.

Lini një koment