Anthony Williams shpallet fajtor për tentativë vrasjeje ndaj 14 personave në sulmin me thikë në trenin drejt Londrës
Një burrë me skizofreni u shpall fajtor të enjten për tentativën e vrasjes së 14 personave në tri incidente të ndara brenda një periudhe 24-orëshe, që kulmuan me therjen e 10 personave në një tren me shpejtësi të lartë drejt Londrës. Siç njofton Associated Press, Anthony Williams, 33 vjeç, kishte pranuar se i kishte kryer sulmet, por mohonte se kishte synuar të vriste. Gjatë gjyqit në Gjykatën e Kurorës në Kembrixh u tha se në atë kohë ai vuante nga një psikozë akute si pasojë e skizofrenisë, por juria e shpalli fajtor për të 14 akuzat e tentativës së vrasjes pas 16 orësh e 52 minutash diskutimesh; gjyqtari u kishte shpjeguar juristëve se një person i sëmurë mendërisht, që vepron nën një iluzion psikotik, mund të formojë gjithsesi qëllimin për të vrarë.
Tmerri nisi mbrëmjen e 31 tetorit 2025, kur Williams theri një djalë dhe tentoi të therte dy burra në qytetin Peterborough, rreth 120 kilometra në veri të kryeqytetit. Më pas udhëtoi drejt Londrës, ku theri një djalë në një tren metroje në orët e para të 1 nëntorit, përpara se të kthehej në Peterborough dhe të kalonte pjesën më të madhe të ditës në shtëpi.
Atë mbrëmje ai hipi në një tren të kompanisë LNER dhe, gjatë një sulmi pesëminutësh, theri nëntë pasagjerë dhe një anëtar të ekuipazhit. Të gjithë i mbijetuan plagëve. Një anëtar i ekuipazhit, Samir Zitouni, pësoi plagë kërcënuese për jetën, përfshirë tri therje në shpinë, ndërsa përpiqej ta mbante Williams-in larg me një tigan; ai pësoi “humbje katastrofike gjaku” dhe iu deshën katër transfuzione. Një pasagjer tjetër u përpoq ta ndalonte sulmuesin me një tostier, ndërsa të tjerët i bllokuan rrugën me karroca dhe bagazhe, dhe shumë pasagjerë të tmerruar u strehuan në tualete.
Makthinisti e ndali trenin në stacionin Huntingdon, jo larg Kembrixhit, ku Williams u neutralizua me armë elektrike dhe u arrestua në një parking të stacionit. Ai nuk dha dëshmi në gjyq dhe u shfaq me lidhje video nga spitali psikiatrik i sigurisë së lartë Rampton.