E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›AQSHF: 5000 kuti të reja për pasurinë audiovizuale shqiptare

AQSHF: 5000 kuti të reja për pasurinë audiovizuale shqiptare

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) ka nisur procesin e pajisjes me 5 mijë kuti të reja të standardeve ndërkombëtare, të cilat do të shërbejnë për ruajtjen dhe mbrojtjen e një pjese të trashëgimisë tone filmike.

Ky investim është mundësuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me synimin për të përmirësuar kushtet e konservimit të materialeve filmike dhe për të mbrojtur ato nga dëmtimet që shkakton aciditeti.

Sipas AQSHF-së, materiali përbërës i kutive ku ruhen bobinat ka një rëndësi të veçantë për jetëgjatësinë e tyre. Kutitë metalike, për shkak të ndryshkjes dhe proceseve të dekompozimit, mund të ndikojnë negativisht në shiritin filmik, ndërsa kutitë e reja plastike janë inerte, nuk reagojnë ndaj aciditetit dhe lejojnë çlirimin e gazeve, duke krijuar kushte më të përshtatshme për konservimin e filmave.

Këto kuti janë të lehta dhe përmbushin standardet e përdorura nga arkivat filmike ndërkombëtare.

AQSHF bëri të ditur se, procesi i zëvendësimit të kutive do të nisë me negativët, të cilët përbëjnë boshtin kryesor të fondit filmik shqiptar.

Në këtë proces janë angazhuar stafi i AQSHF-së, përfaqësues të MTKS-së si dhe inxhinierja kimiste e arkivit, Hermelinda Troqe.

Lini një koment