Saturday, 24 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›ARGJENTINË – Gjykata mbyll çështjen ndaj presidentit Milei për skandalin me kriptomonedhën

ARGJENTINË – Gjykata mbyll çështjen ndaj presidentit Milei për skandalin me kriptomonedhën

BUENOS AIRES, 24 tetor /ATSH-DPA/- Një gjykatë në Argjentinë vendosi sot të mbyllë procedimin ndaj presidentit Javier Milei, për përfshirjen e dyshuar në një skandal me kriptomonedhën $LIBRA, duke arritur në përfundimin se veprimet e raportuara nuk përbënin një vepër penale.

Gjykatësi federal, Marcelo Martínez de Giorgi deklaroi se veprimet që po hetoheshin nuk përfshiheshin në asnjë dispozitë të ligjit penal.

Milei u akuzua vitin e kaluar se kishte promovuar kriptomonedhën $LIBRA në rrjetet sociale, pak orë përpara se vlera e saj të binte ndjeshëm.

Sipas vlerësimeve, investitorët humbën më shumë se 200 milionë dollarë.

Disa politikanë të opozitës kërkuan nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit.

“Bota dëshiron të investojë në Argjentinë. $LIBRA”, shkroi Milei në rrjetin social X në atë kohë. Ai e fshiu postimin disa orë më vonë.

Në një deklaratë të mëvonshme, presidenti tha se nuk i njihte hollësitë e projektit dhe se, pasi ishte informuar për to, kishte vendosur të mos e promovonte më.

Kritikët e akuzuan Milein se kishte marrë pjesë në një skemë mashtrimi të njohur si “rug pull”, ku krijuesit e një kriptomonedhe largohen me paratë e investitorëve, duke shkaktuar rënien e vlerës së saj dhe humbje të mëdha për blerësit.

Gjykatësi tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuza penale për mashtrim, shpërdorim detyre apo veprime të tjera të papajtueshme me funksionin publik.

Edhe prokurorët kishin arritur më herët në të njëjtin përfundim.

Milei, 56 vjeç, e mirëpriti vendimin, duke e cilësuar çështjen si pjesë të një “operacioni të jashtëzakonshëm politik dhe mediatik”, që sipas tij synonte vetëm të dobësonte presidencën, për arsye politike dhe për të nxitur rrëzimin e qeverisë.

Ai tha se drejtësia kishte vendosur gjërat në vendin e duhur. /

Lini një koment