Arianit Shehu: Progresi i Shqipërisë është i pakontestueshëm, por kujt vallë po i pengon
Shkruar nga: Arianit Shehu
Përmes një kombinimi të fatit dhe asaj që unë e konsideroj si përcaktim i Zotit, pata privilegjin e jashtëzakonshëm që për tre dekada të drejtoj programe të financuara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Euroazi, shpesh në disa prej zonave më komplekse të konfliktit dhe tranzicionit politik në botë, duke përfshirë Revolucionin Portokalli në Ukrainë, Pranverën Arabe në Lindjen e Mesme, Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe tranzicionin politik në Siri, ndër të tjera.
Këto përvoja më kanë dhënë një kuptim të rrallë dhe të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si ndërthuren demokracia, siguria, tranzicionet politike, ndikimi i huaj dhe aktorët keqdashës. E gjithë kjo përvojë më ka pajisur me një ndjeshmëri dhe aftësi të veçantë për të kuptuar se si veprojnë aktorët keqdashës, si ndërtojnë ndikimin e tyre, si shfrytëzojnë dobësitë institucionale e shoqërore dhe si përdorin dezinformimin, polarizimin, presionin politik dhe instrumente të tjera për të minuar sigurinë, demokracinë dhe stabilitetin.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar një transformim të rëndësishëm politik, institucional dhe ndërkombëtar nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Vendi ka konsoliduar fuqishëm orientimin euroatlantik, ka ndërmarrë reformën më të thellë në drejtësi, ka modernizuar administratën publike dhe ka avancuar në mënyrë të matshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në maj 2026, Bashkimi Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin themelor, që përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe kriteret ekonomike; vetëm dy muaj më vonë, në korrik 2026, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë të negociatave: Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Këto janë etapa të verifikueshme dhe jo thjesht deklarata politike. Asnjë tranzicion demokratik nuk është linear dhe çdo reformë e thellë përballet me probleme, rezistencë, mangësi institucionale dhe kritika; por pikërisht raportet periodike të progresit dhe avancimi nga një fazë negociuese në tjetrën dëshmojnë se Shqipëria po arrin t’i adresojë gradualisht këto sfida dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet politike dhe juridike të Bashkimit Evropian.
Edhe në ekonomi, ndryshimi është i matshëm. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare pritet te rritet 18-22% në pesë vitet e ardhshme. Këto ritme janë veçanërisht domethënëse kur krahasohen me parashikimin e Bankës Botërore prej vetëm 2.8% rritje mesatare vjetore për Ballkanin Perëndimor dhe 1% per BE, që do të thotë se Shqipëria pritet të rritet dukshëm mbi mesataren rajonale dhe asaj të BE. Shqipëria vazhdon të ketë sfida reale, nga produktiviteti dhe emigracioni te forcimi i institucioneve, kapitali njerëzor dhe lufta kundër korrupsionit, por suksesi i një tranzicioni nuk matet me mungesën e problemeve por matet me aftësinë për t’i identifikuar ato, për t’i adresuar dhe për të vazhduar përpara. Në këtë kuptim, të dhënat ekonomike, raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe ritmi i procesit të integrimit evropian tregojnë se Shqipëria e sotme është më e zhvilluar, më e integruar ndërkombëtarisht dhe më pranë Bashkimit Evropian se në çdo moment tjetër të historisë së saj moderne./ Kosovapress
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.