“Arkivoli në protestë i papranueshëm!” Çipa: Simbolikat me vdekje janë të rrezikshme!
Aleksandër Çipa, gazetari i njohur, ka folur këtë të shtunë në emisionin Review me Greta Topjanën, në Euronews Albania, lidhur me protestën e ditës së 35-të.
Çipa u ndal te dy mesazhe që, sipas tij, krijojnë një kontrast brenda protestës. I pari lidhet me urimin për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa i dyti me simbolikën e arkivolit, të cilën ai e konsideroi të papranueshme.
“Janë disa detaje që na shtyjnë t’i komentojmë. Mesazhi që lexoi Dritan Goxhaj, në emër të organizatorëve, për 250-vjetorin e SHBA-së, është një mesazh i fortë politik. E dyta, simbolika dhe imazhet e përdorura janë problematike. Arkivoli duhet të jetë i refuzueshëm. Çdo individ i shoqërisë, e aq më tepër pjesëmarrësit në një protestë të një gjenerate të re, që pretendojmë se përfaqësojmë sot, duhet ta refuzojnë atë. Referencat ndaj simbolit të vdekjes janë të dëmshme”, tha Çipa.