Arrestimet/ Rama për WELT: Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit
Kryeministri Edi Rama ka folur për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe rolin e institucioneve të drejtësisë, në një intervistë për median gjermane WELT.
Gjatë intervistës, Rama u pyet edhe për arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke e vendosur rastin në kontekstin e hetimeve dhe procedimeve ndaj zyrtarëve të lartë.
Duke folur për situatën e korrupsionit në vend, kryeministri tha se Shqipëria ka kaluar, sipas tij, nga një sistem ku korrupsioni ishte pjesë e funksionimit të shtetit në një fazë ku institucionet po e luftojnë atë.
“Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”, deklaroi Rama.
I pyetur për aktivitetin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, Rama e cilësoi procesin të vështirë, ndërsa ngriti edhe kritika për disa aspekte të procedurave.
“Pjesërisht është e dhimbshme. Jo të gjitha procedurat përputhen me standardet evropiane, sipas mendimit tim. Shqipëria ka normën më të lartë të të burgosurve në paraburgim në kontinent. Por kjo është pjesë e një procesi të ashpër dhe të pashmangshëm. Për këtë duhet të marrim vlerësim”, u shpreh ai.
Në vijim, kryeministri u pyet nëse arrestimet dhe dënimet e personave të afërt me të duhet të shoqërohen edhe me përgjegjësi politike nga ana e tij.
Rama tha se zhvillimet në drejtësi përbëjnë, sipas tij, një ndryshim të rëndësishëm në raport me historinë e shtetit shqiptar.
“Para se të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u krijua shteti ynë, asnjë ministër në Shqipëri nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se e konsideron përgjegjësi politike faktin që institucionet e drejtësisë mund të mbajnë përgjegjës zyrtarë, pavarësisht pozicionit të tyre.
“Kjo është përgjegjësia ime politike”, përfundoi Rama.