Arrestohet në Itali 47-vjeçari i dënuar me 15 vite burg në Shqipëri
Autoritetet italiane kanë arrestuar Alok Mittra, 47 vjeç, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi në vitin 2024 është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Posaçme.
Mittra është dënuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal që, gjatë një periudhe rreth gjashtëmujore në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Shtetasit bangladeshas, sipas policisë, silleshin fillimisht në Shqipëri nga Dubai. Më pas, përmes kontratave fiktive të punës, pajiseshin me leje qëndrimi shqiptare dhe përdornin këto dokumente për të vijuar udhëtimin drejt vendeve të BE-së.
Në këtë skemë, Mittra dyshohet se kishte rol në shoqërimin, transportimin dhe akomodimin e shtetasve të huaj gjatë lëvizjes së tyre.
Arrestimi në Itali i 47-vjeçarit i hap rrugë procedurave për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku duhet të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme.