Arrestohet ‘skifteri’ 38-vjeçar në Kavajë, akuzohet për vjedhjen e tre objekteve në Kavajë e Golem
Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë si autor i dyshuar i vjedhjeve në dy subjekte dhe në një banesë në Kavajë dhe në Golem, siç njofton Shqiptarja.com. I ndaluari është Erlind Shehaj, banues në Durrës, i cili dyshohet se gjatë muajit tetor ka marrë shuma parash, një laptop, një celular, pajisje të ndryshme elektronike, si dhe mjete pune.
Zbardhja e tri rasteve u bë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Traces”. Sipas policisë, ndalimi i të dyshuarit erdhi pas një pune hetimore me metoda proaktive, e cila bëri të mundur identifikimin e tij si autor i dyshuar i vjedhjeve.
Hetimet për këtë çështje nuk janë mbyllur. Policia bën të ditur se vijon puna për të zbardhur edhe vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga i njëjti shtetas.
Materialet procedurale për 38-vjeçarin iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.