E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›As shiu nuk i ndal protestuesit, pas Kryeministrisë qytetarët marshojnë në rrugët e Tiranës

As shiu nuk i ndal protestuesit, pas Kryeministrisë qytetarët marshojnë në rrugët e Tiranës

Pavarësisht shiut dhe motit të keq, qytetarët vijuan edhe këtë mbrëmje protestën kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, siç njofton BalkanWeb.

Ata u mblodhën fillimisht para godinës së Kryeministrisë dhe më pas nisën marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, në ditën e 179-të të protestës.

Protestuesit ritheksuan kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë, duke u shprehur të vendosur për të vijuar.

Marshimi i sonte zhvillohet tri ditë para protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntorin, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë thirrjet për mobilizimin sa më të gjerë të qytetarëve nga e gjithë vendi.

Pas rreth gjashtë muajsh protesta të përditshme, të rinjtë, studentët dhe qytetarët thonë se janë të vendosur të vazhdojnë. Ata e shohin 28 nëntorin si një moment të rëndësishëm për zgjerimin e lëvizjes qytetare në shkallë kombëtare dhe paralajmërojnë se protestat do të vijojnë derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

Lini një koment