E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Asambleja e PS-së në Tiranë, Ervin Demo: Të rrisim praninë fizike dhe atë digjitale te njerëzit

Asambleja e PS-së në Tiranë, Ervin Demo: Të rrisim praninë fizike dhe atë digjitale te njerëzit

Bashkëdrejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ervin Demo, mbajti fjalën e tij në Asamblenë e PS-së në kryeqytet, ku vuri theksin te rëndësia e strukturave bazë, modernizimi i komunikimit përmes digjitalizimit, bashkimi i energjive të komuniteteve në Tiranë dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Duke e nisur fjalën e tij nga roli i ri si bashkëdrejtues politik në Tiranë, Demo vlerësoi kontributin e anëtarëve dhe drejtuesve të organizatave në terren, duke e cilësuar forcën e tyre si themelin e partisë.

“Në fakt sot është hera e parë edhe për mua që qëndroj këtu para jush në këtë përgjegjësi të re dhe dua ta nis duke ju thënë diçka që e besoj fort: asnjë detyrë, sado e rëndësishme në jetë, nuk ka vlerë pa njerëzit me të cilët e ndan, sepse Partia Socialiste në Tiranë nuk është vetëm drejtimi i saj, nuk janë vetëm deputetët apo drejtuesit e organizatës. Janë mbi të gjitha njerëzit që i japin jetë çdo ditë në çdo lagje, në çdo njësi administrative dhe në çdo fshat. Jeni ju që i njihni familjet, që dëgjoni shqetësimet, që përballeni me problemet dhe që shpesh mbani mbi supe edhe pakënaqësitë për gjëra që nuk janë përgjegjësia juaj”, u shpreh Demo.

Ai pranoi se ka pasur raste kur angazhimi nuk është vlerësuar sa duhet, por nënvizoi se fryma e skuadrës dhe dëgjimi i ndërsjellë janë kyçe për sfidat e ardhshme elektorale, veçanërisht për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

“Jo çdo angazhim është vlerësuar sa duhet dhe jo çdo problem ka marrë përgjigjen që meriton, por e di që asnjë organizatë nuk mund të jetë më e fortë se besimi, përkushtimi dhe fryma e skuadrës që e mban të bashkuar. Prandaj sot askush prej nesh këtu nuk flet nga pozita e një drejtuesi që ka përgjigje për gjithçka. Por ne kemi ardhur me bindjen se duhet të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, të ndajmë përgjegjësitë dhe të ndërtojmë një marrëdhënie ku secili ndihet i respektuar dhe i vlerësuar. Së bashku me Ogertën, Albanën, me gjithë deputetët dhe mbi të gjitha ju, kemi përpara zgjedhjet vendore 2027. Një përgjegjësi që patjetër kërkon seriozitet, organizim, disiplinë dhe shumë punë”, deklaroi ai.

Duke folur për nevojën e përshtatjes dhe modernizimit të organizatave socialiste, Demo u ndal te dy ndryshime kryesore, ku i pari lidhet me digjitalizimin dhe komunikimin e përditshëm me qytetarët, si plotësim i kontaktit të drejtpërdrejtë në terren.

“Por përpara se të flasim për organizimin, mënyrën se si ne të gjithë bashkë duhet dhe do të punojmë, forca jonë nuk qëndron vetëm te përvoja që kemi ndërtuar ndër vite, por edhe te kuraja për t’u përshtatur, për t’u modernizuar dhe për t’u hapur ndaj ideve të reja. Dhe pikërisht këtu dua të ndalem sot te dy ndryshime që i konsideroj të rëndësishme për organizatat tona. Ogerta i përmendi pak më parë, kryetari i Partisë Socialiste ka vite në fakt që tek e para fokusohet shpesh te digjitalizimi dhe nevoja që e gjithë organizata socialiste të ketë prezencën e saj tek ajo që është një realitet krejt i ri, nga organizata që mblidhet te organizata që komunikon çdo ditë dhe ne duhet të kemi kurajën që patjetër të ndryshojmë me kohën. Duam që çdo organizatë të ketë identitetin dhe praninë e saj online dhe një hapësirë ku pasqyrohet jo vetëm aktiviteti politik, por mbi të gjitha jeta komunitare e çdo lagjeje. Prania fizike dhe ajo digjitale duhet të plotësojnë njëra-tjetrën. Teknologjia na jep mundësinë të jemi më afër, por besimi ndërtohet gjithmonë nga njerëzit dhe pranë njerëzve”, tha bashkëdrejtuesi politik i PS-së.

Ndryshimi i dytë i trajtuar prej tij kishte në fokus diversitetin e kryeqytetit dhe rolin e deputetëve e drejtuesve të qarqeve për të ndërtuar ura bashkëpunimi me komunitetet e ardhura nga të gjitha trevat e vendit.

“U përmend më parë që Tirana sot nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë. Tirana është qyteti ku bashkohet e gjithë Shqipëria. Në lagjet tona jetojnë familje nga Shkodra, Kukësi, Dibra, Korça, Vlora, Berati e Gjirokastra. Janë njerëz që kanë ndërtuar jetën. Këtu kanë rritur fëmijët, këtu kanë investuar punën dhe ëndrrat e tyre në këtë qytet, por njëkohësisht ruajnë lidhjet me vendlindjet, familjet, traditat dhe komunitetet nga ata vijnë. Kjo është një nga pasuritë më të mëdha të Tiranës dhe këtu dua të ndalem veçanërisht tek roli i deputetëve e drejtuesve të qarqeve për sa i përket asaj çfarë ne duhet të bëjmë për të ndërtuar ura më të forta komunikimi dhe bashkëpunimi me të gjithë ato qeliza që ekzistojnë në jetën komunitare në Tiranë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë t’i ndajmë njerëzit sipas origjinës. Përkundrazi, bëhet fjalë të bashkojmë energjitë, përvojat dhe lidhjet e tyre për një Tiranë sa më të fortë dhe gjithëpërfshirëse. Tirana është shtëpia e të gjithëve dhe organizimi ynë duhet të pasqyrojë pikërisht këtë realitet”, theksoi Demo.

Në vijim të fjalës së tij, ai bëri thirrje për një model drejtimi ku nuk ka ndarje mes atyre që japin detyra dhe atyre që i zbatojnë, por një skuadër të bashkuar që pranon gabimet dhe i korrigjon ato me transparencë.

“Të dashur miq, nuk dua që kjo përgjegjësi të na ndajë në drejtues që japin detyra dhe njerëz që duhet t’i zbatojnë. Duhet të jemi një skuadër ku secili ka zërin e vetë, ku puna e secilit ka vlerë dhe ku përgjegjësia ndahet së bashku. Do të ketë vështirësi, padyshim dhe gabime, por rëndësi ka të kemi besim për të folur hapur, për të korrigjuar atë që nuk funksionon dhe për të ecur përpara. Prandaj kjo detyrë nuk është thjesht një përgjegjësi e re politike. Është një marrëdhënie besimi që dua ta ndërtojmë dhe forcojmë çdo ditë së bashku. Sepse një skuadër e fortë ndërtohet kur secili ndihet pjesë e saj dhe ku secili mban përgjegjësitë dhe askush nuk mbetet pas”, shtoi ai.

Në mbyllje, Ervin Demo e lidhi këtë angazhim të strukturave të Tiranës me vizionin e Partisë Socialiste për vitin 2030 dhe integrimin evropian të vendit.

“Kjo është fryma me të cilën ne të gjithë duam ta nisim këtë rrugëtim së bashku, me respekt për njëri-tjetrin, me besim te forca e skuadrës dhe me përgjegjësi për Tiranën. Për atë që të gjithë ne duam. Një Tiranë e cila në 2030-n të jetë një nga kryeqytetet e Bashkimit Europian. Një Tiranë e cila përmbush standardet e jetesës të asaj çfarë të gjithë qytetarët do donin për një qytet evropian dhe një Tiranë ku të gjithë ne, Partia Socialiste, e përdor këtë mundësi të artë të Shqipërisë evropiane për të vendosur atë çfarë është në fakt ajo që socialistët dinë të bëjnë më mirë, të çojnë Shqipërinë përpara”, përfundoi Demo.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment