ASK: Mbi 374 mijë fëmijë përfituan shtesat për fëmijë gjatë gushtit, mbi 13.5 milionë euro të ndara
Skema e shtesave për fëmijë ka pasur numrin më të madh të përfituesve gjatë gushtit 2026, me 374,382 fëmijë përfitues dhe mbi 13.5 milionë euro të disbursuara, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Pas saj vijnë pensionet bazë të moshës, me 171,045 përfitues dhe mbi 27.1 milionë euro të paguara, si dhe pensionet kontributive të moshës, me 47,841 përfitues dhe mbi 11.7 milionë euro.
Skema e veteranëve numëroi 39,646 përfitues me mbi 7.8 milionë euro të disbursuara, ndërsa pensionet e aftësisë së kufizuar arritën 21,655 persona me mbi 3.6 milionë euro. Ndihma sociale u dha për 14,789 përfitues, me mbi 2.1 milionë euro.
Pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kishin 12,360 përfitues me mbi 3.7 milionë euro, përkrahja financiare për nënat e papuna 6,596 përfituese me mbi 3.3 milionë euro, ndërsa për nënat e punësuara 2,219 me mbi 1.1 milionë euro.
Në total, të gjitha skemat numëruan 733,006 përfitues me mbi 82 milionë euro pagesa. ASK thekson se skemat e mirëqenies kryesisht mbështesin të moshuarit, kategoritë e dala nga lufta dhe familjet në nevojë.
Burimi: KosovaPress