Atentati i dështuar në Elbasan, 52-vjeçari donte të hakmerrej për plagosjen e të vëllait pas 15 vitesh
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i dështuar i ndodhur një ditë më parë në një lokal në hyrje të Elbasanit, ku shënjestër ishte 50-vjeçari E. K. Për ngjarjen është arrestuar 52-vjeçari P. B., i cili, sipas burimeve hetimore, ka deklaruar se motivi i sulmit lidhet me një ngjarje të ndodhur vite me pare,
Para hetuesve, 52-vjeçari mësohet të ketë pretenduar se E. K., kishte plagosur vëllain e tij vite më parë, duke i shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore. Sipas këtij versioni, atentati ishte kryer si akt hakmarrjeje për atë ngjarje, raporton gazetari i Klan News Fatos Salliu.
Një tjetër version vjen nga vetë shënjestra e sulmit. E. K., ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar dhe se dy familjet jetonin në të njëjtën lagje pa pasur konflikte për rreth 15 vite.
Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera, përfshirë mundësinë e një konflikti më të fundit mes autorit të dyshuar dhe shënjestrës. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e saktë të ngjarjes dhe për të rindërtuar dinamikën e atentatit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës, në një lokal në hyrje të Elbasanit, i cili në atë moment ishte i mbushur me klientë. Atentati nuk shkaktoi viktima, pasi arma e përdorur dyshohet se nuk funksionoi në momentin kur autori tentoi të qëllonte.