AUV kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, aflatoksina 45 për qind mbi kufirin e lejuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kthyer mbrapsht në kufi 27 tonë misër nga Serbia, pa lejuar hyrjen e ngarkesës në tregun e Kosovës, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e aflatoksinës B1 mbi kufirin e lejuar, njofton KosovaPress.
Ngarkesa, misër merkantil në kokrra që tregtohet si lëndë e parë për ushqimin e kafshëve ose për përpunim të mëtejshëm, ishte importuar nga kompania “Ideal Group” nga Peja dhe ishte eksportuar nga kompania “Agro Dom” nga Crvenka e Serbisë, sipas faturës së datës 10 nëntor 2026. Ajo ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit, ku inspektorët e AUV-së morën mostra për analiza laboratorike.
Sipas njoftimit të AUV-së, të cilin e përcjell KosovaPress, rezultatet kanë treguar prani të aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg (29 µg/kg), pra 45 për qind mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0.020 mg/kg (20 µg/kg), dhe për këtë arsye ngarkesa nuk u lejua të hynte në tregun kosovar.
Aflatoksina B1 është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera. Nëse misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.