Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaAvokatët e huaj takojnë Erion Veliajn në Durrës, Ndreca: Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Strasburgut

Avokatët e huaj takojnë Erion Veliajn në Durrës, Ndreca: Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Strasburgut

Tre avokatë, mes të cilëve dy britanikë, Ben Brandon dhe Celia Marr, kanë takuar këtë të martë Erion Veliajn në ambientet e IEVP-së në Durrës. Takimi u bë i mundur vetëm sot pas miratimit dhe autorizimit nga ana e SPAK-ut.

Sipas avokatit Ben Brandon, ky ishte kontakti i tyre i parë me klientin, ku u bë një rezyme e të gjithë procesit ligjor. Mbrojtja bëri me dije se do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të kundërshtuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim caktimin e një mase më të butë që do t’i mundësonte atij vazhdimin e detyrës si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për këtë çështje është angazhuar edhe një studio ligjore amerikane, avokatët e së cilës prasin ende autorizimin e SPAK-ut për të realizuar takimin.

Nga ana e tij, avokati Plarent Ndreca konfirmoi vendimin për dërgimin e dosjes në Strasburg dhe shprehu pritshmërinë që edhe avokatët amerikanë të marrin së shpejti lejen për kontakt.

Ndreca bëri me dije se mbrojtja do të atakojë çështjen e akuzuesit anonim si dhe do të kundërshtojë emërimin e prokurorit të çështjes, Olsi Dado, cilësuar prej tyre si antikushtetues.

“Kemi besim se do t’i fitojmë të gjitha çështjet, si rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë, rikthimin në krye të Bashkisë dhe do të vazhdojmë hap pas hapi me çështjet e tjera”, u shpreh Ndreca.

Lini një koment