Avokati i Popullit në Kuvend: Drejtësia, pronat dhe të paraburgosurit, problemet kryesore në Shqipëri
Shqipëria synon të jetë brenda dekadës anëtare e Bashkimit Europian, por ka probleme të theksuara me respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj. Drejtësia dhe pronat mbeten shqetësimet kryesore të shqiptarëve. Çështjet e tyre zvarriten me vite në institucionet përkatëse.
Avokati i Popullit Endri Shabani gjatë prezantimit në Kuvend të raportit të 2025, kur këtë institucion ende e drejtonte Erinda Ballanca, theksoi problemet e mëdha me sistemin gjyqësor, vonesat në shqyrtimin e dosjeve dhe për pasojë numrin rekord të të paraburgosurve, pa një vendim të formës së prerë. Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit, Avokati i Popullit deklaroi se për çështjen e pronës shkeljet më të mëdha janë konstatuar nga Kadastra e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës.
Avokati i Popullit Endri Shabani i qëndron ndër vite kërkesës që Kuvendi të miratojë një ligj që përcakton minimumin jetik. Sipas llogaritjeve ai duhet të jetë 22 000 lekë në muaj për frymë.
Në përfundim të raportimit Endri Shabani i kërkoi Kuvendit shqyrtimin e projektligjit të ri për Avokatin e Popullit, ku kërkohet zgjerim i kompetencave edhe mbi sektorin privat.