Avokati Ndreca: Nuk më lejojnë të takoj Veliajn në burg, situatë antikushtetuese
Avokati Plarent Ndreca nuk është lejuar sërish të takojë kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit.
Ndreca është paraqitur mbrëmjen e kësaj të hëne në institucionin e vuajtjes së dënimit për t’u konsultuar me klientin e tij në lidhje me seancën gjyqësore të planifikuar për nesër, si dhe për të diskutuar mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe ndërhyrjen e mundshme kirurgjikale.
Sipas avokatit, si arsye për moslejimin e takimit i është komunikuar mungesa e personelit dhe e instrumenteve të kontrollit. Ai ka kërkuar që arsyet e refuzimit të pasqyroheshin në një procesverbal zyrtar, por edhe kjo kërkesë nuk është pranuar.
Ndreca e ka cilësuar situatën si antikushtetuese, antiligjore dhe skandaloze, duke theksuar se e drejta e avokatit për t’u takuar me klientin duhet të garantohet në çdo kohë, përfshirë fundjavat dhe ditët e pushimit zyrtar.
“Është një situatë që unë e konsideroj jo vetëm antikushtetuese dhe antiligjore, por edhe skandaloze”, u shpreh avokati Plarent Ndreca.
Ndërkohë, ai theksoi se kanë kërkuar që Erion Veliaj të kontrollohet nga mjeku i familjes, të kryejë një rezonancë të re magnetike dhe t’i nënshtrohet një vizite mjekësore për vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Avokati bëri të ditur se, për një rast të mëparshëm të ngjashëm, ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit.