Tuesday, 12 May 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaBajrami reagon për listën: Nga zyra m’u kumtua që jam numër 12, pas atyre që e luftuan LDK-në

Bajrami reagon për listën: Nga zyra m’u kumtua që jam numër 12, pas atyre që e luftuan LDK-në

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas renditjes së saj si e 12-ta në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se pozicioni në listë nuk përbën asnjë problem për të.

Ajo tha se është pjesë e listës së LDK-së sepse, sipas saj, partia është më e madhe se çdo individ dhe se angazhimi i saj politik nuk lidhet me renditje apo fitore personale.

“Nga zyra e LDK-së më është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, ka deklaruar Bajrami.

Tutje ka shtuar se ka qenë pjesë e LDK-së në vazhdimësi dhe se nuk e ka parë asnjëherë partinë si stacion të përkohshëm politik, duke kujtuar edhe përvojën e saj si deputete në disa mandate.

Sipas saj, beteja e saj politike është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet, siç u shpreh ajo, arrogancës së pushtetit, si dhe për një shtet me institucione të pavarura dhe funksionale.

“Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret”, ka shtuar ajo.

Në fund të reagimit të saj, Bajrami u ka bërë thirrje qytetarëve që të analizojnë listën e kandidatëve të LDK-së dhe më 7 qershor të votojnë me bindje për këtë subjekt politik, duke theksuar se në mesin e 110 kandidatëve, sipas saj, ka shumë figura të denja për përfaqësim./Telegrafi.

Lini një koment