Balla jep detajet e marrëveshjes 302 milionë dollarë me SHBA-në: Si do të disbursohet financimi për Forcat e Armatosura
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar historike marrëveshjen që Kuvendi pritet të ratifikojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se marrëveshja e huasë me vlerë 302 milionë dollarë amerikanë përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA-në.
Sipas tij, financimi do të përdoret për Forcat e Armatosura dhe do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete, ndërsa kredia ka një afat shlyerjeje deri në 12 vjet.
“Shqipëria shihet sot si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon. Sot vjen një marrëveshje për ratifikim me një vlerë prej 302 milionë dollarësh, kjo shumë do të përdoret për Forcat e Armatosura. Është edhe garancia që jep kjo marrëveshje. Kredia ka një afat deri në 12 vjet për t’u shlyer. Financimi do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete”, tha ai.
Balla kujtoi gjithashtu se javën e kaluar, përmes një akti normativ, u rritën shpenzimet për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa theksoi se objektivi i Shqipërisë është që ato të arrijnë në 5% të PBB-së.
Ai e lidhi këtë zhvillim edhe me vendimin për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, duke e cilësuar si një vlerësim për rolin e Shqipërisë në Aleancë.
“Shqipëria ka hyrë në një trajektore të re besueshmërie dhe rritjeje të investimeve në mbrojtje. Sot jemi në nivelin 2.6% dhe synojmë të arrijmë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria vlerëson lidershipin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe të Presidentit Trump, duke mbetur e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si një aleate e besueshme në NATO”, deklaroi Balla.
Në fund të fjalës së tij, Balla iu referua edhe debatit politik për protestat e fundit, duke përdorur simbolikën e “sorrave”, “korbave”, “shqiponjës” dhe “flamingove”.
“Zhurmuesit nuk kanë për të kuptuar kurrë rëndësinë e një marrëveshjeje, se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA-së dhe një aleat i denjë i NATO-s. Sorrat dhe korbat le të vazhdojnë të bërtasin, shqiponja bashkë me flamingot punojnë për Shqipërinë”, tha Balla.