Balla- Koçekut: Dorëzo mandatin, nuk e ke marrë si individ, por nga Partia Socialiste
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje deputetes Marjana Koçeku të dorëzojë mandatin e deputetes, duke argumentuar se ai mandat i përket Partisë Socialiste, e cila e ka kandiduar dhe e ka çuar në Kuvend.
I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë një njoftim zyrtar nga Koçeku se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist, Balla u shpreh se deputetja duhet të respektojë forcën politike që i ka dhënë mundësinë të zgjidhet dhe, nëse nuk dëshiron të jetë më pjesë e saj, duhet të heqë dorë nga mandati.
“Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur, dhe dua t’ju them, personin në fjalë e ka zgjedhur Partia Socialiste. Të dorëzojë mandatin Partisë Socialiste, se ia ka dhënë Partia Socialiste. Dhe kur të votohet drejtpërdrejt nga qytetarët, ka të drejtë ta përdorë mandatin”, deklaroi Balla.
Ai iu përgjigj edhe kritikave të bëra publike nga Marjana Koçeku, e cila ka pretenduar se brenda grupit parlamentar të PS-së nuk lejohet mendimi ndryshe.