Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBalla: Reforma territoriale ka ecur sipas parashikimeve, propozimet do të konkretizohen në vijim

Balla: Reforma territoriale ka ecur sipas parashikimeve, propozimet do të konkretizohen në vijim

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka lënë të hapur mundësinë që reforma administrative territoriale të shqyrtohet dhe të votohet përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar.

Në një prononcim për mediat pas seancës së sotme plenare, Balla tha se procesi ka avancuar sipas parashikimeve të mazhorancës dhe se Kuvendi vijon punën deri në përfundimin e sesionit, i cili mbyllet të premten.

Sipas tij, komisioni i posaçëm për reformën administrative territoriale ka përfunduar fazën e tij të parë, ndërsa tashmë priten propozimet konkrete që do t’i paraqiten Kuvendit.

“Reforma administrative territoriale ka ecur sipas të gjitha parashikimeve tona. Nuk kam pasur asnjë dyshim në tetor, kur është votuar, që Partia Demokratike do të ishte në fund të këtij procesi e përfshirë,” deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur se raporti i përgatitur nga komisioni, i bërë publik nga bashkëkryetari i tij, ministri Arbjan Mazniku, përmban jo vetëm propozime për ndarjen e re territoriale, por edhe ndryshime që lidhen me përmirësimin e shërbimeve publike.

“Në sesionin tjetër, përveç kësaj pjese, do të keni edhe propozime që lidhen me përmirësimin e shërbimeve. Fokusi ynë është që të garantojmë që çdo shtetas i Shqipërisë, pavarësisht nëse jeton në qendër të Tiranës apo në fshatin më të thellë të Shqipërisë, të ketë infrastrukturë arsimore të mirë, infrastrukturë shëndetësore të mirë, infrastrukturë rrugore të mirë dhe shërbime,” tha ai.

Balla u ndal edhe te digjitalizimi i shërbimeve publike, duke theksuar se krahas platformave online duhet të ketë akses edhe për qytetarët që nuk mund t’i përdorin ato.

“Jo pa qëllim kemi investuar përmes e-Albanias për përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e shërbimeve online. Këto shërbime duhet të ofrohen në mënyrë të tillë që edhe moshat e treta apo të tjerë që nuk i aksesojnë dot këto shërbime, të kenë zyrat e posaçme në çdo fshat dhe në çdo qendër komune,” u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.

Ai theksoi se deputetët socialistë në komisionin e posaçëm do të vijojnë punën edhe pas përfundimit të mandatit të komisionit dhe dorëzimit të raportit përfundimtar.

“Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por në rastin konkret deputetët tanë në komisionin e posaçëm të reformës administrative territoriale, pas përfundimit të mandatit të komisionit dhe pas paraqitjes së raportit përfundimtar në Kuvend, tani do të vijmë edhe me propozimet,” tha Balla.

I pyetur nëse ka kohë që reforma të kalojë brenda këtij sesioni, Balla tha se çështja nuk lidhet me kohën, por me përfundimin e procedurave parlamentare.

“Nuk është pjesa e fitimit të hapësirës (kohore). Padyshim që kolegët tanë të komisionit të posaçëm vazhdojnë punën edhe në këtë moment që flasim bashkë dhe besoj që do ta konkretizojmë,” deklaroi ai.

Balla shtoi se deputetët nuk do të largohen me pushime dhe se një seancë tjetër plenare mund të zhvillohet nëse do të ketë materiale të gatshme për shqyrtim.

“Ne nuk po ikim me pushime. Jemi këtu,” tha ai.

Sa i përket mundësisë së një tjetër seance plenare, Balla sqaroi se vendimi i takon kryetarit të Kuvendit.

“Kjo është kompetencë e kryetarit të Kuvendit i cili vlerëson nëse ka çështje ose materiale gati nga puna e komisioneve…Mos harroni asnjëherë që komisionet prodhojnë shqyrtimin e ligjeve, çojnë raportet dhe kryetari i Kuvendit vendos që të ketë apo jo seancë. E vërteta është që ky sesion mbyllet të premten” tha ai.

Lini një koment