Baloku i përgjigjet kritikave të PDK-së ndaj ambasadorit britanik: Ata që votuan Specialen, sot sulmojnë aleatët
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, u është përgjigjur reagimeve të ashpra të Partisë Demokratike të Kosovës ndaj ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, shkruan Gazeta Politika.
Në një postim publik, Baloku ka vlerësuar se ata që votuan Gjykatën Speciale, sot sulmojnë aleatët.
“Kur politika e tyre dështoj, tash fajin e gjejnë te SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Ata që votuan Gjykatën Speciale, sot sulmojnë aleatët vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë së vendimit të tyre”, shkroi Baloku në Facebook, siç raporton Gazeta Politika.
Reagimi i Balokut vjen pas kritikave të forta të PDK-së ndaj ambasadorit Hargreaves për komentet e tij lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku PDK-ja e akuzoi ambasadorin se po redukton dhe relativizon vendimin e Hagës.