E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosova“Banditëve dhe cubave nuk ua kemi frikën”, reagime tjera nga LVV për incidentin në Skenderaj

“Banditëve dhe cubave nuk ua kemi frikën”, reagime tjera nga LVV për incidentin në Skenderaj

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka reaguar për incidentin në Skenderaj ku pretendohet për sulm fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani.

Ajo e ka vlerësuar këtë sulm ‘kriminal e banditesk’.

“Ky akt përveçse është i papranueshëm, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Sulme dhe sulmues të tillë i njohim mirë. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Sipas saj, këto janë metoda primitive të betejës politike të atyre që shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës si padrejtësi dhe provokim.

“Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë. Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë”, ka shtuar Gërvalla.

“Banditve dhe cubave nuk ua kemi frikën. Shërim të shpejtë miku ynë Hysni Mehani!”, ka shkruar në Facebook ish-deputeti i LVV-së, Artan Abrashi.

“Sulmi ndaj zëvendësministrit të Republikës së Kosovës, Hysni Mehani është akt qyqar dhe kriminal dhe si i tillë duhet të trajtohet nga organet e drejtësisë”, ka shkruar kryetari i Mitrovicës Faton Peci.

Lini një koment