“Banka e rreme 2”, policia zbardh skemën si mashtroheshin qytetarët online
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Banka e Rreme 2” ku u godit një skemë e mashtrimit online.
Sipas policisë, qytetarët mashtroheshin me anë të SMS që vinin në emër të institucioneve bankare
“Operacioni u zhvillua pas identifikimit të një fushate mashtruese të tipit “smishing”, përmes së cilës qytetarë të ndryshëm kanë marrë mesazhe (SMS) në emër të një institucioni bankar të nivelit të dytë, ku u kërkohej përditësimi i të dhënave bankare nëpërmjet klikimit të një linku mashtrues që imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar. Si pasojë e kësaj skeme kriminale, disa qytetarë kanë dhënë të dhënat e tyre bankare, duke u bërë viktimë e mashtrimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të kësaj skeme, një 25 vjeçar me nënshtetësi hoandeze si dhe është shpallur në kërkim edhe një tjetër.
“Falë reagimit të menjëhershëm të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në koordinim me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj skeme, shtetasit I.K., 25 vjeç, me nënshtetësi holandeze, si edhe shpallja në kërkim e shtetasit A.R të dyshuat si bashkëpunëtor në këtë veprimtari”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve apo linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhëna personale ose bankare.
Asnjë institucion bankar nuk kërkon përditësim të të dhënave sensitive nëpërmjet SMS-ve ose linkeve të dërguara në telefon.
/tvklan.al