Banka e Shqipërisë për rreziqet e jashtme: Luftërat dhe nafta kërcënojnë ekonominë
Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja financiare e familjeve dhe bizneseve mbetet e qëndrueshme, por rreziqet nga zhvillimet ndërkombëtare janë rritur. Luftërat, çmimet e energjisë dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme mbeten faktorët kryesorë të pasigurisë për ekonominë.
Banka e Shqipërisë ka analizuar ecurinë e ekonomisë në pjesën e parë të vitit dhe risqet e mundshme. Në raportin e Stabilitetit Financiar për janar-qershor 2026 theksohet se gjendja financiare e bizneseve dhe e familjeve mbetet e qëndrueshme, përsa kohë që të ardhurat dhe ngarkesa me borxh paraqiten në nivele të përballueshme.
“Megjithatë, bizneset vazhdojnë të ndjejnë mungesën e personelit të kualifikuar dhe zhvillimet ndërkombëtare paraqesin aktualisht një pasiguri më të lartë. Vijimi i luftës në Ukrainë dhe konfliktet ushtarake në Lindjen e Mesme ruajnë prirjen për t’u zgjeruar, dhe kanë ndikuar negativisht në çmimet e naftës, të gazit, dhe të produkteve që mbështeten mbi to”, theksohet në raportin e BSH-së.
Banka e Shqipërisë evidenton se rreziqet në “mjedisin e jashtëm” klasifikohen në nivelin “mesatar”, por janë më të larta në krahasim me një vit më parë. Nga ana tjetër, ecuria pozitive e nëntreguesve të tjerë, si rritja 12 ekonomike e partnerëve kryesorë tregtarë dhe luhatja në nivele të ulëta të normave afatshkurtra të interesit në tregjet ndërkombëtare, kanë balancuar rrezikun nga faktorët e mësipërm.
BSH vlerëson se në vrojtimin periodik që kryhet me bankat, rreziku nga zhvillimet ndërkombëtare mbi ekonominë e vendit është evidentuar prej tyre si burimi kryesor i rrezikut, i ndjekur prej zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.