Bardhi pas deklaratës së Ramës për Hysenin: Dil dhe jep llogari
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zhvillimet e fundit në vend, duke kërkuar prej tij përgjigje për një sërë çështjesh që lidhen me qeverisjen dhe institucionet shtetërore.
Në një deklaratë të gjatë për mediat, Bardhi u ndal veçanërisht te çështja e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, dhe emërimi i saj në krye të këtij institucioni.
Rama ka deklaruar se Hyseni kishte marrë “referenca të shkëlqyera nga partnerët” përpara emërimit në krye të SHISH. Bardhi kërkoi që kryeministri të bëjë publikë emrat e këtyre partnerëve.
“Dil dhe tregoju shqiptarëve cili shërbim i huaj, cili partner ndërkombëtar ta sugjeroi Vlora Hysenin me referencë të shkëlqyer dhe kush është shastisur nga veprimet ligjore të SPAK kundër krimeve të saj?”, tha Bardhi.
Ai kërkoi gjithashtu shpjegime për të kaluarën e Hysenit në institucionet e sigurisë në Kosovë dhe për mënyrën se si ajo u përzgjodh për të drejtuar SHISH.
“Dil gjithashtu dhe na trego, çfarë u verifikua lidhur me shkarkimin e saj nga pozicionet drejtuese në Shërbimin Informativ të Kosovës, me vendim të Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?”, u shpreh ai.
Bardhi ngriti pyetje edhe për akuzat që lidhen me marrëdhëniet e Hysenit me personin nën hetim Ergys Agasi.
“Kush e vuri, Vlora Hysenin në shërbim të Ergys Agasit? A keni një përgjigje, zoti Kryeministër?”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Sipas Bardhit, opozita i kishte ngritur më herët këto pretendime në Kuvend dhe në komisionet parlamentare, ndërsa kërkoi të dijë nëse kryeministri kishte urdhëruar verifikimin e tyre.
“Çfarë masash ka marrë Kryeministri për të verifikuar këto akuza të opozitës? A mund të kemi një përgjigje, zoti Kryeministër?”, pyeti Bardhi.
Një pjesë tjetër e deklaratës së tij iu kushtua mënyrës se si Rama ka reaguar ndaj zyrtarëve që janë përballur me drejtësinë. Bardhi përmendi disa raste, mes tyre çështjet e dekriminalizimit, ish-ministrit Saimir Tahiri, koncesioneve në shëndetësi dhe inceneratorëve.
Duke iu referuar inceneratorëve, Bardhi tha se opozita kishte ngritur më herët pretendime për parregullsi dhe akuzoi kryeministrin se kishte mbështetur projektet.
“A nuk ishe ti Edi Rama garant që inceneratorët ekzistonin, punonin dhe digjnin çdo ditë plehrat e shqiptarëve? A nuk ishe ti që firmose 17 vendime brenda ditës për t’i hapur rrugë një skeme që i kushtoi shqiptarëve 340 milionë euro?”, deklaroi Bardhi.
Ai u ndal edhe te tenderat e AKSHI-t dhe kërkoi nga kryeministri shpjegime për akuzat e bëra publike në lidhje me këtë institucion.
“Dil dhe shpjegoju shqiptarëve: ka pasuri Linda e AKSHI-t apo jeton me qira, siç na the ti? Pse hesht tani?”, tha Bardhi.
Në deklaratën e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së përmendi edhe KAYO-n, Portin e Durrësit, Tunelin e Llogarasë dhe Aeroportin e Vlorës, duke ngritur pyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së kompanive dhe partnerëve në këto projekte.
“Po Alabari, si e fitoi truallin mbi Portin e Durrësit? Me konkurs apo me ligj special dhe me përzgjedhje personale tënden?”, pyeti Bardhi.
Ai kërkoi gjithashtu shpjegime për përzgjedhjen e kompanive turke në projektet e Tunelit të Llogarasë dhe Aeroportit të Vlorës.
Bardhi foli edhe për marrëdhëniet mes qeverisë dhe medias, duke përmendur sulmet e Ramës ndaj Syri TV dhe News 24.
“Një Kryeministër i përgjegjshëm nuk shantazhon mediat. Nëse ai ka dijeni për një krim, ka detyrimin ligjor t’u drejtohet organeve të drejtësisë”, deklaroi ai.
Sipas Bardhit, përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga drejtësia, ndërsa qeveria duhet të japë llogari për vendimmarrjen politike dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve.
“Përgjegjësia penale është çështje e drejtësisë. Ndërsa, përgjegjësia politike është çështje e llogaridhënies publike. Dhe transparenca ndaj qytetarëve është detyrim i çdo qeverie”, u shpreh ai.
Në fund të deklaratës, Bardhi i kërkoi kryeministrit të japë përgjigje për emërimet, tenderat, koncesionet dhe marrëdhëniet mes pushtetit, biznesit dhe institucioneve.
“Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje. Përgjigje për mënyrën se si janë bërë emërimet. Përgjigje për mënyrën se si janë dhënë tenderat dhe koncesionet. Përgjigje për mënyrën se si janë mbikëqyrur institucionet. Përgjigje për marrëdhëniet mes pushtetit dhe biznesit. Përgjigje për marrëdhëniet mes pushtetit dhe krimit”, tha Bardhi.
Deklaratën e tij ai e mbylli me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.
“Edi Rama, dil dhe jep llogari”, deklaroi Bardhi, duke shtuar: “Përgjegjësia e parë që të takon ty, Edi Rama, është politike. Jep dorëheqjen!”