BE-ja ndalon nga e shtuna eksportin e mbetjeve plastike drejt vendeve jashtë OECD-së
Një ndalim i Bashkimit Evropian për eksportin e mbetjeve plastike drejt vendeve jashtë Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) hyn në fuqi të shtunën, më 21 nëntor, së bashku me rregulla më të rrepta për eksportet drejt anëtarëve të OECD-së, si pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e një ekonomie më qarkore, siç njofton Reuters.
“Një nga prioritetet që kemi është ndalimi i ndotjes plastike. Ne shohim domosdoshmërinë e një traktati global për ndotjen plastike dhe kjo lidhet me atë që do të ndodhë nesër”, u tha të premten gazetarëve komisionerja evropiane për Mjedisin, Jessika Roswall. Kombet e Bashkuara përpiqen që nga viti 2022 të bien dakord për një traktat ligjërisht detyrues, por negociatat mbeten të bllokuara për shkak të kundërshtimit të vendeve prodhuese petrokimike dhe të Shteteve të Bashkuara nën presidentin Donald Trump.
BE-ja prodhon rreth 40 milionë tonë mbetje plastike çdo vit, nga të cilat 1 deri në 1,5 milionë tonë eksportohen. Sipas Komisionit Evropian, në vitin 2025 rreth gjysma e eksporteve shkoi në vende të OECD-së dhe gjysma jashtë saj; destinacionet kryesore ishin Turqia me 510 mijë tonë, Malajzia me 276 mijë, Indonezia me 215 mijë, Vietnami me 137 mijë dhe Mbretëria e Bashkuar me 108 mijë tonë.
Ndalimi do të zbatohet të paktën deri më 21 maj 2029, pas së cilës vendet jashtë OECD-së mund të aplikojnë për të marrë sërish mbetje plastike nga BE-ja. Atij do t’i pasojë një ndalim më i gjerë, nga 21 maji i vitit të ardhshëm, për eksportet e kategorive të tjera të mbetjeve jo të rrezikshme, si letra, goma, metali dhe qelqi.
Komisioni pritet të paraqesë në dhjetor Aktin e Ekonomisë Qarkore, i cili do të harmonizojë 27 përkufizimet e ndryshme të mbetjeve në vendet anëtare për të nxitur riciklimin dhe kërkesën për materiale të ricikluara në Tregun e Vetëm. Akti synon edhe përmirësimin e mbledhjes së mbetjeve elektronike për nxjerrjen e lëndëve të para kritike, si metalet e rralla strategjike për mbrojtjen, për të ulur varësinë e BE-së nga Kina. BE-ja mblodhi vetëm 39 për qind të mbetjeve të saj elektronike në vitin 2024, rreth 5,5 milionë tonë ose 12,3 kilogramë për person, sipas Eurostat-it. “Kemi një minierë ari këtu. Kemi 700 milionë pajisje elektronike nëpër shtëpitë tona në Evropë. Duhet t’i përdorim, duhet t’i mbledhim”, tha Roswall.