FOKUS – BE rishikon strategjinë e sigurisë së naftës për nevojat ushtarake
– Bashkimi Evropian po përgatit një strategji të re për sigurinë e furnizimit me naftë, duke vendosur në qendër të saj edhe nevojat e ushtrive evropiane, sipas Euronews.
Në një dokument paraprak të Komisionit Evropian, vendet anëtare duhet të shkojnë përtej rezervave tradicionale emergjente dhe të garantojnë furnizim të qëndrueshëm me naftë diezel, benzinë dhe karburant aviacioni, edhe në rast të një krize të zgjatur apo konflikti ushtarak.
Shqetësimet janë shtuar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe rritjes së kërcënimeve ndaj sigurisë evropiane.
Sipas një vlerësimi të Komisionit Evropian të vitit 2025, 61,54% e vendeve të BE-së kanë raportuar vështirësi për të garantuar furnizimin e mjaftueshëm me karburant gjatë lëvizjes së forcave ushtarake nëpër kontinent.
Komisioneri për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, ka paralajmëruar se në rast konflikti, NATO-s mund t’i duhet të dislokojë dhe të mbështesë rreth 100 mijë trupa gjatë dhjetë ditëve të para të krizës, çka do të kërkonte sasi të mëdha karburanti.
Një nga dobësitë më të mëdha të identifikuara është furnizimi me karburant për aviacionin.
Sipas një studimi të NATO-s, Evropa importon 27–30% të karburantit të avionëve nga jashtë rajonit, ndërsa rezervat aktuale mbulojnë vetëm rreth 49 ditë konsum.
Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e importeve është e përqendruar te një numër i kufizuar furnizuesish, duke e bërë kontinentin të ekspozuar ndaj ndërprerjeve të papritura të furnizimit në rast tensionesh apo konflikti ndërkombëtar.
Strategjia e re parashikon gjithashtu një vlerësim të kapaciteteve të rafinerive evropiane, të cilat kanë pësuar tkurrje gjatë gati dy dekadave të fundit.
Komisioni Evropian kërkon që qeveritë të analizojnë kapacitetet e përpunimit, planet për investime dhe pasojat e mbylljes së rafinerive.
Sipas komisionerit për Energjinë, Dan Jorgensen, ruajtja e kapaciteteve të mjaftueshme dhe fleksibël të përpunimit të naftës nuk është vetëm çështje e konkurrueshmërisë ekonomike, por edhe e sigurisë së kontinentit.
Vendet anëtare do të duhet gjithashtu të identifikojnë varësinë nga furnizuesit e huaj dhe të përgatisin plane për përballimin e sulmeve fizike, kërcënimeve kibernetike, fatkeqësive natyrore dhe ndërprerjeve të zgjatura të rrugëve të furnizimit.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet porteve, tubacioneve, rafinerive dhe rrjeteve të shpërndarjes, të cilat konsiderohen infrastrukturë kritike për funksionimin e ekonomisë dhe mbrojtjen ushtarake.
Nisma e re hap një debat edhe për përplasjen e mundshme mes sigurisë energjetike dhe objektivave klimatike të BE-së. /Ad.Ab./ a.jor.