Begaj homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit: Sakrifica e tyre, udhërrëfyes për të ardhmen evropiane
Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, Presidenti Bajram Begaj, kreu homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku vendosi një kurorë me lule pranë monumentit simbolik Nënë Shqipëri.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit përkujtoi me respekt të thellë sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se ata ishin idealistë që dhanë jetën për lirinë dhe paqen që gëzon sot vendi.
“Përkujtojmë dhe nderojmë sot me përulje dhe respekt të thellë “Dëshmorët e Kombit”, burra dhe gra, të rinj e të reja që dhanë jetën për vatan, liri dhe paqen që gëzojmë sot. Ata ishin idealistë që luftuan deri në sakrificën sublime për të përmbushur ëndrrën tonë të përbashkët”, shkruan Begaj.
Teksa shprehu mirënjohje dhe respekt ndaj të rënëve, Kreu i Shtetit vlerësoi idealet e tyre frymëzuese për brezin e ri.
“Sakrifica sublime e çdo patrioti, duhet të na shërbejë si një udhëzues moral për të mbrojtur pa hezitim parimet dhe vlerat universale të paqes dhe drejtësisë mbi të cilat bazohet demokracia”, shkruan Begaj.
Në këtë ditë të shënuar, Begaj përcolli mesazhe përbashkimi dhe angazhimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një mision që vijon shembullin e martirëve, për atdheun mbi gjithçka tjetër.
“Idealizmi i tyre i pastër dhe atdhedashuria vetëmohuese duhet të na frymëzojnë të gjithëve ne për ta dashur më shumë Shqipërinë tonë, për të punuar për njerëzit dhe për vendin, të gatshëm dhe të guximshëm për sakrificat më të mëdha. Një Shqipëri që zhvillohet, bën përpara në rrugën e bashkimit me familjen evropiane! Ky është misioni ynë i përbashkët, nën shembullin e martirëve kombëtarë! Lavdi përjetë gjakut dhe shpirtit të Dëshmorëve të Kombit!”, shkroi Begaj.