Begaj nga Ohri: Integrimi në BE, domosdoshmëri për sigurinë e Evropës, Shqipëria synon anëtarësimin në 2030
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kërkuar përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një element të rëndësishëm për sigurinë e kontinentit.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua këtë të premte në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Begaj theksoi se siguria e Evropës është e lidhur drejtpërdrejt me integrimin e rajonit në strukturat dhe institucionet evropiane.
“Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i shkëputur nga siguria e përgjithshme evropiane. Një Evropë më e sigurt kërkon një rajon të ankoruar fort në institucionet dhe vlerat evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të forcojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar”, u shpreh Presidenti.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit ngriti shqetësimin për kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja, por edhe për nacionalizmin ekstrem, revizionizmin historik dhe glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte. Sipas tij, këto fenomene dëmtojnë besimin mes vendeve të rajonit dhe pengojnë procesin e pajtimit.
Begaj ritheksoi gjithashtu se fqinjësia e mirë mbetet një nga prioritetet e politikës së jashtme shqiptare, ndërsa shprehu mbështetjen e Shqipërisë për përshpejtimin e integrimit të Kosovës, si vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, Presidenti konfirmoi ambicien për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030.
Ai nënvizoi se për arritjen e këtij objektivi vendi duhet të vijojë reformat, të forcojë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike, si dhe të garantojë respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave.
Presidenti kërkoi gjithashtu që procesi i zgjerimit të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në meritë, duke theksuar se përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate duhet të shoqërohet me përparim konkret drejt anëtarësimit.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, si mekanizma që mund të ndihmojnë në ngushtimin e hendekut ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.
“Bashkëpunimi rajonal nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një nga mënyrat për t’u përgatitur për të”, deklaroi Begaj.
Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Përbashkët të Ohrit, përmes së cilës riafirmuan mbështetjen për perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në dokument theksohet se zgjerimi i BE-së është një domosdoshmëri gjithnjë e më e madhe gjeopolitike dhe se vendet e rajonit nuk duhet të trajtohen si vende të treta, por si pjesë përbërëse e rrjeteve infrastrukturore, integrimit ekonomik dhe zhvillimit të ardhshëm të Evropës.