Begaj takon të rinjtë e nismës “Fol Shqip”: Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me të rinj nga treva të ndryshme shqiptare, pjesë e nismës “Fol Shqip”, në kuadër të Ditës së Alfabetit, siç njofton Shqiptarja.com. Në fokus të bashkëbisedimit ishte ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe, si dhe bashkëpunimi për çështjet që bashkojnë shqiptarët.
Begaj vlerësoi angazhimin e të rinjve, duke theksuar se gjuha shqipe është një nga elementet themelore të identitetit kombëtar dhe se ruajtja e saj kërkon përkushtim të përditshëm, veçanërisht nga brezi i ri. Sipas tij, promovimi i gjuhës duhet të kthehet në veprim konkret, në familje, në shkollë, në institucione dhe në jetën e përditshme.
“Duhet të bësh punë të vogla me dashuri të madhe për atë që është më e madhe se të gjithë ne: atdheun. Pa gjuhë, pa ‘Fol shqip!’ nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari”, theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti u ndal edhe te përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj duhet të zbatohen edhe në praktikë. Ai rikujtoi fjalën e mbajtur në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe takimin me studentët që protestonin në Universitetin e Tetovës, si dhe bëri apel që përfaqësuesit e shqiptarëve, në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje.
Duke sjellë në vëmendje Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe shembullin e komunitetit arbëresh në Itali, që ka ruajtur gjuhën dhe identitetin për më shumë se pesë shekuj, Begaj inkurajoi të rinjtë të vijojnë angazhimin e tyre dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur nisma të tilla.